Anadrinia në kujtesën folklorike
Kulturë

Anadrinia në kujtesën folklorike

17.May.2019 17:48
0

Mos e le turkun me hi!

 

Ndarjet dhe njësitë regjionale e sidomos emërtimet dhe shtrirja dhpërkufizimi i tyre gjeografik paraqesin elemente të rëndësishme për kulturën e secilit popull.

Mund të thuhet kështu në rend të parë për faktin se këto ndarje nuk janë bërë thjesht dhe rastësisht. Pra, nuk janë ndarje që janë bërë me vijëzime teknike, por duke u mbështetur në veçoritë e tyre, gjeografike, folklorike, etnologjike, etnopsiqike, etnografike, gjuhësore, etnomuzikologjike dhe aspekte të tjera të jetës së përgjithshme të një populli dhe të një kombi. Si të tilla, këto veçori, pavarësisht nga veçantitë dhe specifikat që i karakterizojnë, nuk mund të trajtohen si vlera të izoluara. Përkundrazi, ato pikërisht në saje të këtyre vlerave janë shumë të rëndësishme për kulturën e përgjithshme shpirtërore të një populli apo kombi, pjesë e të cilës janë.

Ndarje të tilla regjionale e krahinore janë të pranishme gjithandej hapësirës shqiptare. Vetëm në Kosovë janë rreth 20 sosh, ku bën pjesë edhe Padrimja

Duke qenë të këtilla, studiues të ndryshëm e kanë parë të udhës të merren me hulumtime dhe studime të veçanta për regjione të caktuara, siç kanë bërë Mark Krasniqi me ,,LugunBaranit (1984), Gjokë Dabaj,,Shestani” (2004), etj.

Një studim i tillë është e nevojshme të bëhet edhe për Padrimen (vini re shqiptimin burimor – Padrime) toponim, i cili, kah vitet 80 të shek.. të kaluar ka zënë të zëvendësohet, fillimisht, me emri Drinia, e më vonë Anadrinia që sa vjen e ka përdorim më të shpeshtë.

Për Padrimen si regjion më veti dhe emrin e saj, ekzistojnë shënime të hershme. Gavro Skrivaniqi, në punimin me titull ,,Lista e emrave gjeografikë të Zetës Mesjetare”, që e ka publikuar në Titograd (Podgoricë) me 1959, shkruan se sipas shkrimeve të viteve 1208-1215 ,,Padrimja shtrihet në hapësirën përreth rrjedhës qendrore të lumit Drini i Bardhë – të Metohisë”. Kjo e dhënë historike është më e hershmja që dihet deri tani për këtë regjion. Të dhëna të tilla, të kohërave të mëvonshme mund të gjenden në arkivat osmane, një pjesë e të cilave janë hulumtuar nga studiuesit tanë.

 Me këtë rast duhet të kujtoj se, përveç disa të dhënave që tani kanë peshën e dokumenteve historike për këtë regjion dhe disa shkrimeve e librave të disa autorëve të huaj e shqiptarë, ku do të mund të veçonim MarkKrasniqin, LubomirKujunxhiqin, Anton Çettën me kërkimet e tij për studimin dhe regjistrimin e folklorit etj. Pa dyshim, një ndihmesë të çmuar ka dhënë edhe prof. dr. Sabahajdin Cena me studimin e tij Epika popullore legjendare në Podrime dhe me një varg punimesh tjera të tij, të botuar në revista të ndryshme shkencore.

Një studim të karakterit socio-gjeografik për Padrimen e ka bërë edhe Adnan Morina, që është botuar nga Rilindja, në vitin 1985 me titull ,,Podrimja

Ky punim, pavarësisht nga mangësitë që ka, paraqet një botim me vlerë dhe në të ardhmen mund të shërbejë si pikënisje dhe mbështetje e fortë për studime më të gjithanshme e më gjithëpërfshirëse për regjionin e Padrimjesgjegjësisht Anadrinisë.

 

Padrimja – Shtrirja gjeografike

Kur thash më parë se studimi i Adnan Morinës ka disa mangësi, në rend të parë kisha në mendje shtrirjen gjeografike të kësaj zone e cila për mendimin tim nuk është dhënë ashtu siç është në realitet.

Sipas Morinës, kufiri verior i Padrimes nuk shkon përtej majave të maleve të MllanaiviqitZatriqit dhe Kaznikut.

Si duket, autori ka marr për bazë vetëm kriterin gjeografik pa e gërshetuar atë edhe me kritere të tjera dhe sidomos pa e konsultuar kujtesën folklorike e cila na dëshmon për një shtrirje përtej këtij kufiri dhe përfshibrenda hapësirës së vet edhe një mori fshatrash.

Ndryshe nga Adnan Morina, rof. dr. Sabahajdin Cena është më i sakt në këtë aspekt. Sipas tij, kufijt e Padrimes, në pjesën veriore, shtrihen përtej kësaj vije, por nuk e saktëson plotësisht.

Këtë e vërejmë qoftë nga të dhënat që i jep për ,,qendrat më të rëndësishme të Podrimes” qoftë nga e dhëna që ka gjetur te Jastrebovi (konsull rus në Prizren në vitin 1879-1886) për bajraqet e Padrimes ku, përveç Bajrakut të Palluzhes, të Hoçës së Vogël dhe të Suharekës  e përfshinë edhe Bajrakun e Astrazubit.

Me qëllim të saktësimit të mëtejshëm të kësaj problematike, dhe duke qenë i bindur se kujtesa popullore në këtë rast ka rol të rëndësishëm, vite e vite më parë jam interesuar për këtë problem dha kam pyetur më të moshuarit. Të dhënat më të plota dhe më të argumentuara m’i pat treguar, Tush Bajraktari nga Palluzha që ishte njeri i mençur për kategorinë e vetë.

Sipas tij, Padrimja, shtrihet prej derdhjes së lumit Taplluhënë Drinin e Bardhë, përtej fshatit Piranë të Prizrenit në pjesën më jugore dhe vazhdon përgjatë lumit Drini i Bardhë deri përtej fshatit Mrasor, te derdhja e lumit Mirusha. Nga aty kthehet përgjatë lumit të Mirushes, Malishevën e ndanë në dy pjesë dhe shkon te fshati Bajë. Prej aty, përgjatë rrugës, del në Qafë të Dules dhe kufiri i saj në anën lindore është rruga Prishtinë – Prizren e arrin në  Suharekë. Aty, ndalon te lumi Toplluhë dhe përgjatë rrjedhës së tij shkon deri në derdhje të këtij lumi në Drinin e Bardhë.

Një argument tjetër që e vërteton këtë shtrirje është me burim nga folklori.

Në këngën e vjetër ,,Mahmut Pash rri n’krevet” ndër të tjera janë edhe këto vargje:

,,Zdorgj Drenica kan ra në Galesh

Për Prishtinë a mos murt gjo vesh

murt vesh a e nitë naj fjalë

Zdorgj Padrimja i kanë dha zjarr

Zo’ ko kan ata të parë

Salih Agën – kumandar.”

Salih Aga ka qenë nga Astrazubi dhe, sipas këngës kuptojmë se në atë luftë ai u ka pri luftëtarëve të Padrimes.

Shto këtu dhe disa elemente të tjera si vesha (sidomos e femrave), disa trajta morfologjike të dhe leksiku i gjuhës etj., atëherë vijmë te e vërteta se pjesë e këtij regjioni janë edhe fshatrat tjera të cilat i përfshinë brenda vetes vija ndarëse e lumit Mirusha e deri në Qafë të Dules.

Shikuar në tërësinë e vet, Padrimja është një njësi gjeografike që paraqet një pellg më veti, i përkufizuar mbi bazën e vijës ujëndarëse të cilën e përbëjnë vargu i bjeshkëve të MllanaviqitZatriqit dhe Kaznikut.

Nuk po zgjatem më shumë për këtë çështje për shkak të kohës dhe po kaloj në problematikën e temës.

 

Anadrinia (Padrimja) në kujtesën folklorike

Kur jemi te kujtesa folklorike duhet të theksojmë që në fillim se Padrimja është një regjion që është memorizuar në folklor dhe zë një vend të veçantë qoftë në këngët historike qoftë në ato lirike, në gojëdhëna e legjenda të ndryshme, në tregime popullore si dhe në thënie të shkurtra.

Po fillojmë me këngët historike.

Në folklorin tonë që e kemi trashëguar nga brezat e mëparshëm ka shumë protagonistë luftërash të ndryshme që u janë kushtuar këngë.

Në këngët historike bëjnë pjesë ajo kategori e krijimtarisë popullore e cila u kushtohet ngjarjeve apo personaliteteve të caktuara historike, të cilat kanë peshë të veçantë për historinë e zhvillimit të një kombi.

Këtu unë do të veçoja Sali Agën nga AstrazubiDanZatriçin nga ZatriçiHazir GariqinDan Retinë, dhe sidomos figurën më kombëtare shqiptare prej tyre, Halil Hamzën nga Rahaveci.

Mund të thuhet kështu, sepse disa prej tyre si Sali Aga e Dan Zatriçi, trimërinë e vetë e kanë vënë në shërbim të tjetrit. Prandaj, dhe këngëtari popullor nuk e ka heshtur këtë fakt, por e ka përjetësuar në vargjet e këngës ,,Prej Prekupes deri në Nish”, kur ndër të tjera thotëShpata e Dan Zatriçit/Nami i pashë Maliqit.

Nëse këto vargje dhe ndonjë tjetër si ato për YmerHoxhen prej Ballanice  gjejmë trimërinë në planin individual, në një rast tjetër, këngëtari popullor na e shpalos imazhet e furishme të luftës në planin më të gjerë, në planin kolektiv.

Kamenica, rreth Matecit

Yrysh bajshin Rahaveci

Rahavec he padrimçak

Llagoret na mushet me gjak

Shpata, në rastin e parë që është shënjues metonimik i trimërisë dhe pasioni për luftën që shpërfaqet përmes vargut ,,Yrysh bajshin Rahaveci”, janë tipare me vlerë, por që nami i tyre i shkon tjetërkujt – Pashë Maliqit, në këtë rast.

Ky fenomen nuk është i panjohur te shqiptarët.

Por, ky konstatim nuk vlen edhe për trimat tjerë, të njohur e të panjohur nga regjioni i Padrimes që marrin pjesë në luftërat me karakter kombëtar.

Se popullsia e kësaj ane ishte pjesë luftërave të LSHP e dëshmojnë edhe vargjet e një kënge historike të kësaj periudhe.

Në vargun e shënjimit të krahinave që marrin pjesë në këto luftëra ku veçohen Kabashi, Suhareka etj., përmendet edhe popullsia e kësaj ane duke ua kujtuar një tipar karakteristik (inatin) që këngëtari popullor e shfrytëzon si  shkrepës për ndezjen e dellit luftarak duke e shqiptuar atë përmes figurës qendrore të kësaj Lidhjeje – SylejmanVokshit..

Ja si i nxit ai për luftë luftëtarët e anëve të ndryshme që e përbënin ushtrinë e tij, një numër i të cilëve ishte nga Padrimja:

Sylejmani ka hip n’thep

Bash si zana po pisket:

-Ju Kabash bini he burra

Qitni n’thika e kacaturra

Suharekjanë trima azgana

Bini n’prita merrni nishana

Ju hasjanë prej malësie

Msyni hasmin si u ka hije

Padrimçak, he inatçi

Mos ta lamë pashën me hi

Dy vargjet e fundit përveç që në vete bartin vlerën e një dëshmie të përjetësuar në këngën popullore për pjesëmarrjen e njerëzve të kësaj ane në luftërat e Lidhjes, kanë dhe një vlerë tjetër. Ato, në të njëjtën kohë bëhen shënjues të një tipari tjetër që ka të bëjë me karakterin dhe psikologjinë e njerëzve të kësaj ane duke icilësuar dhe portretizuar ata si njerëz inatçi.

Kjo është një anë tjetër e medaljes së këtyre vargjeve që janë në funksion të arkivimit dhe ruajtjes së kujtesës për regjionin e Padrimes në folklor.

Po me kaq vlera shënjuese janë edhe këngët për DanRetinë e Hazir Gariqin të cilët janë figura tipike që shëmbëllejnë me sivëllezërit e tyre të  njëjtës periudhë që, po ashtu, janë përjetësuar në folklor si DahPolloshka(Gjakovë) e Dasho Shkreli (Shkoderetj, dhe sidomos kënga për Halil Hamzën.

Kjo e fundit ,,Halil Hamza burrë i trashë”, së bashku me këngën ,,Destan Begu pe kqyr sahatin”, në të cilat spikat vendosmëria për monënshtrim, qoftë edhe me çmimin e jetës, së bashku me këngën për HarjedinPashën, janë ndër më të shtrirat dhe më të pëlqyerat në gjithë hapësirën e Gegërisë, jo vetëm në të shkuarën, por edhe në ditët tona. Kënga e HalilHamzës, për mendimin tim, ka një vlerë të veçantë që shkon përtej regjistrimit dhe përjetësimit të heroizmit të këtij trimi.

Halil Hamzaishte kryengritësi i kësaj ane dhe për shkak të kësaj pushteti otoman i kohës shkon për ta arrestuar. Eprori i sejmenëve që duhet ta kryenin këtë detyrë, Bajram Aga, para se të niseshin për në Rahavec që ta arrestojnë Halil Hamzën, vartësve të vet u tregon për detyrën që do ta kryejnë, por për t’i motivuar u kujton edhe se çfarë do të gjejnë dhe do të pinë në Rahavec.

                          Bajram Aga burrë zotni,

Bahi gati sejmentë e mi

N’Rahavec dojna me hi

Do t’pimë venë do t’pimë raki

Do t’pimë kafe dhe duhan

Halil Hamzen do ta rrethojmë

Pa u lëshuar në disa vlera tjera shënjuese të kësaj kënga për të cilat kam shkruar më herët, po i sjell këtu edhe tri vargjet e fundit me të cilat përmbyllet kënga.  Këngëtari popullor në vend të përshkrimit të luftës që është zhvilluar me atë rast, në vargun e tretë nga fundi, në vend të luftës, na i paraqet pasojat, për ta përmbyllur me një ndërhyrje në formë konstatimi në dy vargjet e fundit:

Tan sejmentë Pashës ja përgjaki

Qyky asht mor vëlla podrimçaki

S’e ban mend qysh bahet gjaki

Heronjtë e përmendur më lartë, janë të kohës Rilindjes sonë kombëtare dhe si të tillë, populli i ka memorizuar në arkivin e vet shpirtëror që është folklori i tij.

Përveç këtyre, në folklorin tonë e gjejmë edhe një figurë tjetër, por që i përket një kohe tjetër – kohës mes dy luftërave botërore. Është ky Miftar Hasani nga Panorci, në figurën e të cilit, këngëtari popullor, përveç trimërisë, ka mishëruar, sidomos dashuri për vendlindjen që shprehet në vargun ,,-Për Carrigrap babë, ment po dojnë me më lanë”Ky i përket kohës mes dy luftërave botërore. Pastaj kemi një këngë për AvdylKasapin nga Rahaveci që në folklor është përjetësuar si Dyl Kasapi, etj.

Në këngët e trimërisë janë përjetësuar edhe luftëtarët e luftës së fundit të Kosovës që u bë nën emblemën e UÇK-së. Në këngën ,,Nga Drenica vjen një za emrat e MensurZyberajtFeim e Bedrysh GashitMizair IsmesEsherefedinKastratitMilaim Krasniqit, Sakip Bellaqes janë si karafilat e veçantë  një buqete lulesh me emra luftëtarësh e dëshmorësh të kohërave të ndryshme dhe anëve të ndryshme të Kosovës, duke filluar prej Prekazit të Ahmet Delisë e Adem Jasharit, e për të dal në Anadrini.

UÇK-ja u paska hije

Po shkojm drejt Anadrinie

E po nalem bash n’Drenoc

Djemt e shipes i dolën zot

Nga kjo anë na vjen o i pari

Feim Gashi shqipe mali

Vjen Mensuri dhe Bedrushi

Që i kanë zemrat porsi si prushi

Kta dëshmorë të lirisë

Janë celulë e Anadrinisë

Din Kastrati lshon një za

Ku të kam Tafil o vëlla

Qomi t’fala atij Sakipit

Merr me ne dhe Përparimin

Vjen mas tij dhe Milaimin

Mizairi nga Rahaveci

Dritë për jetë ai n’popull mbeti

Janë dëshmorë të tokës nanë

Nanë Kosova s’ju harron

Këtu nuk mund të kalojmë pa e kujtuar edhe një këngëtjetër folklorike të kohës sonë kushtuar Ukshin Hotit, në të cilën përveç numërimit të disa cilësive që e shquanin personalitetin e tij dhe evidentimit të enigmës së fatit të tij përmes pyetjes së përsëritur disa herë ,,Ku je Ukshin Hoti”, theksi bie në mençurinë dhe vizionin e tij të cilat përmes metonimisë shprehen në vargjet:

Krenohet mbare kombi

Sot me emrin tand

I rrallë ka me le

Shoqi yt n’Ballkan

Per Kosovën trime

Ishe vizionar

Ku je Ukshin Hoti

Shpresa jonë e gjallë

Ti ia projektove

Rrugën Pavarsisë

Pena e Ukshin Hotit

Pushka e Baces Isë

Përveç këtyre këngëve, në të cilat janë përjetësuar aktet e trimërisë, sakrificës dhe të mençurisë së njeriut të kësaj ane, Padrimjen e gjejmë të memorizuar edhe në disa këngë lirike të folklorit tonë.

Do të veçoja këtu këngën e vjetër, ,,Pej Padrime na vjen haberi” në të cilën spikat gjendja e rëndë shpirtërore e subjekti lirik të këngës. Kjo gjendje është e kushtëzuar nga mungesa e të dashurës që është nga Padrimja e cila, në pranverë (na u ka mush mali me fletë) ka shkuar te daja i vet. I dashuri e porosit që të mos rri shumë veç nja dy net sepse i ka lënë ,,jaranatn’gazep”. Dëshpërimi është i madh, por dashuria e madhe që kanë për vashën u dikton atyre një përmbajtje të zemërimit atëherë kur duan t’ia shprehin asaj në formë mallkimi. Je se si shprehet kjo gjendje:

Ashik kofsh, ashik mos kofsh

Maje bjeshkës veren ma bofsh

Raft një bore e ty të mloftë

Pej pranvere vera t’shpaloftë

Pej pranvere me t’shpalue

Dilli o i gzumë ty me t’rrezue

Dalshin lulat me t’hjeshue

Bari i bjeshkës me t’verdhue.

Përveç këngëve, ka edhe krijime tjera që ndërlidhen me emrin e këtij regjioni, respektivisht të fshatrave të tij. Kështu p.sh kemi një tregim popullor me titull ,,Vrasësi në shtëpi të vrarit” që e ka regjistruar me 1975, Anton Çetta dhe e ka botuar në librin e tij ,,Kërkime Folklorike”. Në të tregohet për një ngjarje që ka ndodhur në Krushë të Madhe, para më shumë se 150 vjetësh. Përmbajtja me pak fjalë është kjo: Një udhëtar (prej Rekse) që po shkonte nga Prizreni në drejtim të Gjakovës, kur arrin në Kurshë të Madhe, fjaloset me një të panjohur dhe e vret tjetrin atë. Pasi e bën vrasjen, hyn në shtëpinë më të afërt. I zoti i shtëpisë e pret dhe pasi e rehaton i thot të mos ketë merak tani. Ai del për të marr vesh se kush ishte i vrari. Pas pak, kthehet në odë dhe i thot mysafirit:

,,- Mik, ti mos u mërzit, se e kishe vra djalin tem. Pra n’dash rri ta varrosish, ndash mundesh me shkue nëse frigohesh.” Kur ai i tha se donte të shkonte, ky ia ktheu:

– Çu se t’përcilli unë.

E mur, e përcuell e e qiti tektert n’Gradish, përtej UresShejt. E i tha:

– Tash, mik, prej qetuhit e tekteri t’shkojsh te shpia jote, në paç shtatë ditë rrugë, je n’besë teme e mas nij për atë punë. Ma vonë ruaju”. Sipas tregimtarit mbas një kohe, i njëjti e ka vra dorasin e djalit.

Kjo tregon se sa është çmuar dhe respektuar norja te njerëzit e kësaj ane.

Mikpritja dhe bujaria janë vlera të popullit tonë që i kanë vënë pah jo vetëm studjues tanë por edhe të huaj që janë marr me studimin e kulturës shqiptare. Si të tilla ato kanë qenë të theksuara edhe në Anadrini. Shembulli më i mirë që është memorizuar në kujtesën kolektive të njerëzve të kësaj ane dhe përtej saj ka qenë Kulla e Makshanës në Drenofc, e cila ka qenë e hapur për çdo udhëtar rasti të njohur e të panjohur. Emri i saj, në të shkuarën ka depërtuar në zona të largëta si bujtinë që ka ofruar strehim dhe bukë pa pagesë. Të moshuarit tregonin se në këtë Kullë, ka pas raste që është shtruar sofra deri 12 herë brenda një nate, për shkak se mysafirët kanë ardhur palë-palë e jo të gjithë menjëherë.  

Përveç tregimeve popullore ka dhe legjenda e gojëdhëna që lidhen me këtë regjion dhe tregohen për vende të veçanta të tij.

Këtu do të veçoja legjendën për ,,Urën e fshajt”, për Sharanicën në Drenofc e Vendin e Tahir Efenisë në maje të Bjeshkës së Zatriçit, pastaj gojëdhënat për Bali Agën, gojëdhënat popullore e legjendare që lidhen me emrin e Sheh Sulejmanit, themeluesit të Teqes së Helvetive në Rahavec (këtu bën pjesë dhe legjenda ,,Rushnë arbain”); në thënie të ndryshme në formë frazeologjish që lidhen me Rahavecin si: ,,E lamë këtë punë si rrushin e Rahavecit”, ,,Nuk ke kali për Rahavec”, ,,Mos u bafsh me t’kajt Rahaveci”, ,,Kur thotrahavecjani,,Jo”, s’ak lojë më, ,,Po prashitke si rahavecjanetj..

Në fshatrat përreth Rahavecit thuhet që kur vjen rahavecjani e hyn në odë, duhet pasur kujdes, sepse kurrë nuk e synon vendin që ia cakton mosha dhe largësia. Gjithmonë ulet shumë më poshtë edhe po të jetë i moshës së shtyrë. Në raste të tilla duhet treguar i shpejtë për të mos e lënë për t’u ulur, se po u ul dhe thotë ,,Mirë jam këtu”, më nuk ka kush që e luan nga ai vend.

Dikush mund të pyet se pse është kaq e nevojshme që t’u referohemi këtyre frazeologjizmave.

Duhet t’u referohemi këtyre, që janë të shumta në lidhje me Rahavecin, sepse ky qytet ka qenë dhe është qendra kryesore e Anadrinisë.

Të gjitha këto janë pjesë të krijimtarisë folklorike të cilat e kanë memorizuar emrin e këtij regjioni dhe banorëve të tij, duke vënë në pah disa veçori thelbësore që e karakterizojnë shpirtin e banorëve të kësaj ane.

 

Përfundim

Nga sa u tha më lartë, mund të përfundojmë se Padrimjaështë një regjion që  ka zënë një vend të merituar në kujtesën folklorike të popullit tonë duke i vënë në pah veçoritë shpirtërore (pse jo edhe fizike) të njerëzve të kësaj ane.

Banorët e këtij regjioni njihen përgjithësisht si njerëz punëtorë. Këtu duhet veçuar sidomos banorët e qytetit të Rahavecit. Këtë e dëshmojnë shprehjet portretizuese që i gjejmë në formë thëniesh nga vet ata, ose nga banorët e fshatrave përreth.

Këtu do të veçoja thënien e banorëve të fshatrave kur shikojnë dikë që prashit vreshtin me tërë shpirtin që e ka, e vlerësojnë me shprehjen: Rahavecjançe po mihke.

Bile, edhe atributi shenjtërisë së Sheh Sylejmanit vihet në pah përmes një cilësie të tillë.

Kur ik ai nga shtëpia e vetë dhe shkon për të shërbyer në Teqen e Prizrenit, një ditë të premte, Shehu i asaj Teqeje ndërsa po hynte të falte xhumanë, mendon me vete, pa i thënë askujt se do të ishte mirë që të krasitnin plepat e me degët e krasitura të thurte një gardh. Ai vetëm e mendon ketë gjë, por nuk ia thotë askujt. Hyn të falet dhe kur del e shikon se atë që e kishte menduar ai ishte kryer, tamam ashtu. Pyet:

– Kush e bëri këtë?

– Unë. – i thotë Sylejmani.

– Aaaa! Dy atllarë me një vend nuk bën! Ik e shko në Rahavec.

Sipas këtij urdhri, Sylejmani vjen në Rahavec dhe e themelon Teqenë e Halvetive.

Ky tipar i banorëve të Padrimes vihet në pah edhe nga një thënie e të tjerëve për ta, pa çka se në dukje të parë tingëllon paksa shpotitës: ,,Çka po thotë podrimçaki/ S’jam për pushkë, por jam për shati”, përmes të cilës vihet në pah shpirti punëtor i këtyre njerëzve.

Megjithatë, shembujt që i solla më lartë, janë dëshmia më e mirë se në momentet vendimtare të historisë së popullit shqiptar, ata (podrimçaktë) e kanë dëshmuar se janë dhe njerëz të pushkës.

Prandaj në krijimtarinë popullore janë skalitur dhe përjetësuar figura të admirueshme të kësaj ane që i shquan trimëria, shpirtit luftarak, qëndresa dhe këmbëngulësia.

Mbi këtë bazë po sjell një copëz të kohës më të re, që mund të merret edhe si kontribut imi etnografik në funksion të dëshmimit të kësaj qëndrueshmërie. Kjo ka të bëjë me një ngjarje reale të kohës së pasluftës së fundit në Kosovë, dëshmitarë të  cilës jemi shumica prej nesh.

E dimë se pas përfundimit të luftës në qershor të vitit 1999, në Kosovë u instalua administrata ndërkombëtare e UNMIK-ut dhe forcat ushtarake të NATO-së. Menjëherë pas këtij dislokimi, kontigjentiautonom rus, kishte planifikuar dhe synonte të hynte në Rahavec, gjë që banorët e kësaj anenuk e pëlqenin. Për të mos ngelur vetëm në suazat e kundërshtimit verbal, në korrik të atij viti, ata kishin bërë veprime konkrete duke i barrikaduar të gjitha rrugët që shpinin në Rahavec. Këtë lajm e mora nga disa miq e shokë, derisa isha në Prishtinë.

Kur dëgjova këtë gjë, unë u pata thënë: – A kanë thënë rahavecjanët JO? Nuk hyjnë rusët më aty, sepse kur thotë rahavecjani Jo, nuk ka kush që t’ia ndryshojë mendjen.

Pothuaj të gjithë, këtë thënie timen, ma merrnin për shaka. Por, nuk u dashtë të kalojë shumë kohë, dhe ajo u vërtetua ashtu siç ua pata thënë miqve të mi në krye të herës.

JO-ja e rahavecjanëve atë botë ishte si thirrja e famshme e republikanëve të Spanjës kundër falangës fashiste gjatë viteve 1936-1939 – No pasaran.

Përkundër përpjekjes dhe dëshirës së madhe, rusët nuk ia dolën dot të hyjnë në Rahavec, sepse rahavecjantëkishin thënë Jo.

Ambasadori Orizio: Shqiptarët duhet të regjistrohen me emër dhe mbiemër korrekt në Serbi
“Shqipëria 1928 -1931” me fotografi sjell rrugëtimin unik
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration