Boehler: Epokë e re në marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Serbisë (video)
Rajoni dhe Politika

Boehler: Epokë e re në marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Serbisë (video)

22.Sep.2020 22:48
0

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq dhe kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC), Adam Boehler, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës u zotuan të zbatojnë marrëveshjen e 4 shtatorit për normalizim ekonomik të arritur në Uashington nga Kosova dhe Serbia.

E njëjta deklaratë, mes Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit të SHBA-së dhe Kosovës, u nënshkrua të hënën nga Boehler dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Në ceremoninë e nënshkrimit të deklaratës u bë edhe hapja simbolike e zyrës së Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit së SHBA-së në Beograd.

Kryeshefi i DFC-së, Adam Boehler në një konferencë për media tha se hapja e zyrës së kësaj Korporate në Beograd shënon një "epokë të re" në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë, duke shtuar se kjo Korporatë planifikon të investojë miliona dollarë në projekte të ndryshme, të cilat tani janë në proces të vlerësimit.

Duke folur për marrëveshjen për normalizim ekonomik, të arritur më 4 shtator, Boehler tha se kjo marrëveshje është një reflektim, se rajoni duhet të shikojë kah e ardhmja.

“Marrëveshja që është nënshkruar në Uashington më 4 shtator nuk është vetëm historike, po reflektim që rajoni nuk do të jetë i mbërthyer në të kaluarën, por do të shikojë kah e ardhmja. Zyra e DFC-së (në Beograd) tregon interesimin tonë për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të këtij rajoni”, tha ai.

Vuçiq: Serbia do të zbatojë marrëveshjen e 4 shtatorit

Në konferencën për media presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se Serbia do të zbatojë obligimet dhe marrëveshjen e Uashingtonit.

Ai tha se kjo është një ditë e rëndësishme për bashkëpunimin tregtar mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.

“Absolutisht jam i sigurt se mund të arrijmë rezultate të mëdha me miqtë tanë amerikanë. Kjo është një ditë e mirë për Serbinë", u shpreh Vuçiq.

"Aty ku amerikanët duan të investojnë, atje ku është agjencia amerikane e zhvillimit, ka punë. Ne jemi krenar që zyra e tyre po hapet në Beograd", tha presidenti serb.

Presidenti serb tha se hapja e zyrës së DFC-së në Beograd do të jetë në të mirë të serbëve dhe shqiptarëve.

"Do të mbrojmë interesat tona, por gjithashtu do të kujdesemi për prosperitetin e njerëzve. Ne do të ndërtojmë rrugë, hekurudha”, tha presidenti Vuçiq.

Dialogu me Kosovën do të vazhdojë nën kujdesin e Brukselit, tha Vuçiq, duke shtuar se Serbia mirëpret “edhe takimet me miqtë amerikanë”.

Odat ekonomike të Kosovës dhe Serbisë me grup punues për marrëveshjen e Uashingtonit

Më herët gjatë ditës së martë, në rezidencën e ambasadorit amerikan në Serbi, odat ekonomike të Kosovës dhe Serbisë njoftuan janë pajtuar që të krijojnë një grup punues, që do të ndihmojë qeveritë e të dyja shteteve për të zbatuar projektet e marrëveshjes së Uashingtonit nga 4 shtatori, si dhe të ofrojë mbështetje për zbatimin e projekteve të infrastrukturës, energjisë dhe krijimit të vendeve të punës.

Në takim kanë marrë pjesë drejtori i Korporatës, Adam Boelher, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell , ambasadori Godfrey, përfaqësuesit e odave të Kosovës dhe Serbisë, Berat Rukiqi, përkatësisht Marko Çadezh si dhe kryetari i Odës amerikane në Serbi, Zoran Petroviq.

Kryeshefi ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA, Adam Boehler, tha se Kosova dhe Serbia me marrëveshjen për normalizim ekonomik, kanë “të mirën e popullit dhe jo politikës”.

"Dua të shpreh mirënjohjen për Prishtinë dhe Beogradin që kanë vendosur në të mirën e popullit dhe jo politikë sepse në fund të fundit, normalizimi ekonomik do të thotë investim. Kjo nuk është një situatë kur një vend humb e një tjetër fiton”, tha Boehler.

Pas takimit, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se marrëveshja e arritur në Uashington më 4 shtator për normalizim ekonomik, është marrëveshje e rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë si dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. 

Berat Rukiqi gjatë konferencës për media në Beograd.
Berat Rukiqi gjatë konferencës për media në Beograd.

“Temat politike nuk kanë dhënë investime dhe hapje të vendeve të reja të punës. Ajo që do të bëjmë ne është të fokusohemi në prioritetet e projekteve të ekonomisë dhe shumë të tjera”, tha Rukiqi.

Ndërkaq, kreu i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh tha se do të dëshmohet se marrëveshja e arritur në Shtëpinë e Bardhë, ka sjellë stabilitet në rajon.

“Tash kemi një ekip të përbashkët për të mbështetur projektet dhe për t'i dhënë ekspertizë qeverive tona që të zbatojnë projektet”, tha Çadezh.

Grenell: Marrëveshja do të krijojë vende të reja pune

Ndërkaq, i dërguari i presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell, tha se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vendosi në rend të parë çështjet ekonomike, sa i përket Kosovës dhe Serbisë.

"Ne nuk do të ishim këtu po të mos ishte presidenti Donald Trump, i cili besoi se mund të bëhej diçka ndryshe dhe që beson se ekonomia duhet të jetë në rend të parë", tha Grenell duke shtuar se shteti nuk krijon vende pune, por sektori privat.

"Ajo që kemi bërë në Uashington është e mrekullueshme, por nuk është e gjitha, ne duam që ju të na mbani përgjegjës dhe ajo që është në letër duhet të kthehet në punë", shtoi Grenell.

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Anthony Godfrey, e përshkroi vizitën e delegacionit amerikan si një sinjal të fuqisë së marrëveshjes së Uashingtonit, duke shtuar se ata tani kanë arritur një marrëveshje të re që "do të përmirësojë tregtinë, komunikimet dhe përmirësojë standardet e jetesës së njerëzve në rajon".

Delegacioni amerikan ka arritur në Beograd në orët e vona të së hënës./REL/

DFC amerikane hap zyre në Beograd (video)
Përçahet koalicioni fitues në Malit të Zi: Abazoviq pro Krivokapiqit për kryeministër
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration